Friday, June 18, 2010

MOIKOM ZEQO - Personalitet i kulturës shqiptare


Moikom Zeqo ka lindur më 3 qershor 1949, në qytetin e Durrësit. Më 1971 është diplomuar në Universitetin e Tiranës për filologji dhe letërsi. Më vonë është diplomuar për histori dhe arkeologji si dhe ka bërë studime pasuniversitare në Romë, në Athinë, dhe në Washington D.C.. Ka punuar si redaktor letrar në gazetën “Drita” dhe arkeolog dhe specialist i artit të lashtë pranë Akademisë së Shkencave. Është Doktor i Shkencave dhe mban Urdhërin e Lartë “Mjeshtër i Madh”. Është autori i 62 librave me poezi, prozë, studime arkeologjike, për historinë e artit, si dhe të nje numëri skenaresh për filma kinematografike e televizivë me karakter arkeologjik dhe kulturor. Ka marrë disa herë çmime të para për librat e tij. Krijime të Moikom Zeqos janë përkthyer në gjuhët anglisht, frëngjisht, greqisht, italisht, sërbokroatisht, bullgarisht, rumanisht, polonisht, danisht, esperanto, gjermanisht si dhe në gjuhën tonë. Është autor i tre ekspozitave vetiake në pikturë. Ka përfaqësuar Shqipërinë në Konferenca Shkencore Ndërkombëtare me dhjetra herë dhe është vlerësuar nga personalitete të larta të kulturës shqiptare dhe të huaj. Moikom Zeqo është sot një nga personalitetet më të mëdha dhe të njohura të kulturës sonë kombëtare. Veprat e tij dallohen për një stil lakonik, të ngjeshur dhe eruditë dhe mbahet si pionier i postmodernizmit në letrat shqipe.

Wayne Miller and Moikom Zeqo

Një poezi që tejkalon kufijtë e kohës- nga Piotr Florczyk

Një poezi që tejkalon kufijtë e kohës

Nga Piotr Florczyk

Eseja i kushtohet librit poetik të Moikom Zeqos, “Unë nuk i besoj fantazmat” përkthyer anglisht nga poeti i njohur amerikan Wayne Miller. Shkrimi është pjesë e tri eseve “për njohjen e Europës tjetër” ku Piotr Florczyk synon të analizojë poezinë e poetëve që kanë jetuar në diktaturat komuniste të Europës Lindore. Rastet e tjera të marra në analizë i takojnë poetes nga Bjellorusia, Valzhyna Mort dhe poetit polak, Tomascz Rozycki

“Për shumë amerikanё ideja e Europës Lindore rrallёherё zgjatet pёrtej disa stereotipave pёrkatёs tё njё rajoni, qё duket sikur mbart jo vetëm njё pakuptueshmëri historike, por edhe me trazira tё shpeshta politike; megjithatë gjithnjë si njё rajon me gjurmё kulturore tё njëjta.

Janё ato, jo ne ose ato që themi ne. Por si mundemi ne t’i kuptojmë ata njerёz qё shkurtojnё zanoret, qё pinё shumё vodka ose raki kumbulle, apo qё kanё jetuar me vite nёn Perden e Hekurt Komuniste? Milosz ёshtё ai qё vuri nё dukje faktin qё askush nuk ka mundёsi tё zgjedhё vendin e tij të lindjes dhe pёrgjigjja ndaj fatit tё secilit ёshtё njё veprim natyral dhe i domosdoshёm. Kontributi i madh i Milosz-it tregon qartё mundimin e njё njeriu qё përpiqet tё sqarojё kohёn e zhurmshme nё tё cilёn ai vetё jetoi. Ai ishte nё dijeni tё rreziqeve qё prisnin artistёt, tё cilёt adresonin moralin apo flisnin pёr çёshtje ekzistenciale pёrbrenda kufijve pa ajёr tё qeverive nazelie dhe represive. Ashtu si poezitё e Milosz-it, edhe veprat e shkrimtarёve si: Ahkmatova, Herbert, Holub, Venclova, Popa, Celan, Brodsky, Kocbek dhe Szymborska, janё tё ndёrtuara mbi trauma njerёzore dhe çmenduri, mbi njё hi tё lёvizur nga kundёrshtimi i heshtjes sё poetёve. Pavarёsisht se sa tё suksesshёm mund tё ishin poetёt, gjithsesi, pёrdorimi i artit tё tyre nё shpalosjen e zemrave, mendjeve dhe dёshirave tё shtypёsve dhe tё tё shtypurve, ёshtё paksa e vёshtirё qё nëpёrmjet tyre tё shihen shtetet ose popujt e Europёs Lindore, si diçka ndryshe nga heronjtё, ose si nё shumё raste si viktima tё fatit tё tyre tragjik.

Gjithashtu, nuk ёshtё aspak e çuditshme qё disa amerikanё apo europiano-perëndimorё kanё hequr dorё nga pёrpjekjet pёr tё kuptuar Europёn Lindore, dhe ata pёrdorin termin ballkanizim nё rastet kur njё pjesë e jetёs sё tyre private pёson fragmentime masive, ndonёse pёrjashtojnё pastrimin e gjakshёm etnik tё Jugosllavisё. Por, a ёshtё e drejtё t’u vëmё faj poetёve, qё i janё pёrgjigjur kohёs sё tyre dhe, qё nё mёnyrë indirekte kanё influencuar kaq shumё qё ne tё kuptojmё kulturёn e tyre? Pa dyshim, sepse pa kontributin e tyre, ne do tё dinim akoma mё pak nё lidhje me ato kohё, dhe për atё qё mund tё mёsojmё nga to. Kriticizmi kryesor mbi gjeneratёn e vjetёr tё poetёve tё Europёs Lindore vinte nga brendёsia e kulturave tё tyre respektive. Gjenerata e re e poetёve, tё shtuar nga revolucionet e viteve 1989-1992, refuzoi me vrull poetikёn e frikёsuar historike dhe filozofike tё tё parëve tё tyre dhe mbёshteti njё poetikё kuotidiane dhe me nivel bisedimi, gjё qё i jepte vlera individit. Pa dyshim, njё ndryshim estetik i tillё nuk ёshtё njё gjё e re; çdo gjeneratё e re lufton pёr deklasimin e paraardhёsve tё vet. Poetёt e rinj, pjesa mё e madhe e tё cilёve e lindur nё vitet ‘60, pёr shkak tё ndryshimeve politike dhe sociale pas rёnies sё komunizmit dhe pёr pasojё tё ardhjes sё republikanizmit politik dhe tё ekomonisё sё tregut, pёrfaqёsuan mё shumё se sa njё ndryshim tё thjeshtё ciklik tё gjeneratave. Nё Poloni, pёr shembull, media dhe kritikёt u dhanё shumё peshё poetёve tё rinj (pavarёsisht se tullumbacja e euforisё sё atёhershme tashmë ёshtё shfryrё), ndonëse shumё prej tyre argumentuan qё poezia e re, nё krahasim me atë qё zëvendësoi, ka mungesё si në intelekt ashtu edhe në vlerë mesianike. Të tjerё besonin që poetët e rinj e çliruan artin e tyre nga një pengesё e madhe. Pa dyshim që e vërteta gjendet diku në mes, siç ёshtё edhe rasti me tre poetёt qё do tё diskutohen kёtu. Po ravizoj shkurtimisht disa shënime kritike për vëllimin poetik “Nuk u besoj fantazmave” të Moikom Zeqos, botuar në SHBA. Libri, përkthyer nga Wayne Miller, që është vetë një poet i talentuar, ka 160 faqe dhe kushton 21.95 dollarë. Në rastin e poetit shqiptar, Moikom Zeqo, kërkimi është shprehur figurativisht, sidoqoftë zanafilla gjendet në realen. Përdorimi i metaforës nga Zeqo është mburojë ndaj shtypjes së komunizmit dhe elitës diktatoriale. Pavarësisht se kjo mund të tingëllojë si shmangie, sidomos për ata që kanë lexuar shkrimet e Wayne Miller mbi historinë kulturore të Shqipërisë dhe situatën politike, vendimi i poetit për të shmangur pasqyrimin real të vendit të tij, duhet të shihet me këtë sy. Të gjithë të ashtuquajturit vendet e Europës Lindore kanë kaluar periudhën artistike ku realizmi socialist shihej si drejtimi estetik sundues dhe mënyra e dëshiruar e shprehjes artistike. Çdo devijim nga vija zyrtare vijohej nga censurimi ose dënim më i rëndë. Arti në vetvete ishte ndarë ndërmjet artistëve zyrtarë dhe disidentëve.
Herë pas here këta dy grupe përplaseshin me njëri-tjetrin, sidoqoftë situata të tilla nuk zgjatnin aq sa të kishin ndonjë ndikim në ideologjinë kombëtare. Ishte gjatë një momenti të tillë kur Zeqo filloi të shkruante “Meduzën”, një përmbledhje me njëqind e pesëdhjetë e dy poezi, që doli nga shtypi nga mesi i viteve 1990. Vëllimi "Nuk u besoj fantazmave" përmbledh gjashtëdhjetë e shtatë poezitë më "të mirat dhe të përkthyeshmet" të krijimtarisë poetike të autorit ndërmjet viteve 1971-‘74. Miller i ka organizuar poezitë kronologjikisht, ku çdo vit përbën një seksion me shpresën që çdo poezi e zgjedhur të krijojë një atmosferë dialogu me përzgjedhjet e tjera. Përgjithësisht kjo atmosferë është e dukshme, sidoqoftë pyetja se si duhet lexuar një libër i tillë të ngacmon vazhdimisht, dhe fakti që poezitë janë shkruar rreth 30 vjet më parë e bën përgjigjen akoma më të vështirë. Shpesh lexojmë libra të përkthyer për të zbuluar kultura të tjera, shpeshherë duke shpresuar që rezultati do pasurojë kulturat tona. Por në ketë rast, Miller, një poet vërtet i shkëlqyer, na fton të hedhim një hap drejt së kaluarës. Disa nga lexuesit nuk do ta marrin mundimin, sidomos kur parathënia na bën të ditur se koleksioni origjinal "ishte tepër problematik, krijonte vështirësi në botim dhe përfaqëson atë krijimtari që poeti vetë e cilëson si fillimet e punës së tij serioze". A janë këto arsye bindëse për të lexuar këtë libër? Jo. Këto janë arsye bindëse vetëm për ata të cilët janë krejtësisht të interesuar të ballafaqojnë jetët njerëzore me politikën dhe historinë. Fatmirësisht, arti i bukur nuk njeh kufij kohe dhe ky vëllim i tejkalon kufijtë e kohës. Poema, titullin e së cilës mban edhe libri, "Nuk u besoj fantazmave" e cila ndeshet herët në koleksion, kontraston realen me fantazmogoriken. Në strofën e parë, lexojmë që "Mërzitja më krijon shpesh fantazma të çuditshme,/ si mjegulla të bardha ku lëkunden pallatet,/ çlirohet çdo gjë nga stabiliteti-ligj./ Ku shkon koreografia e lashtë e fantazmave?/ Shi në Europë./ Dekore horizontesh/ hapen e mbyllen për tragjeditë e kohës/ Romeot e Zhuljetat tani s’dashurohen,/ nën statujën e Shekspirit drogohen!... Shpesh ngrihem natën dhe jam i pagjumë,/ por dijeni se somnambul nuk jam,/ zgjas duart e mia si dy rrugë/ ku gjaku shkon e vjen si me urban”. Gjendja shpirtërore duket qartë që është e lodhur dhe melankolike. Është tunduese ideja për ta klasifikuar këtë poezi si një tjetër shembull të poezisë së një dëshmie të shkruar nga një folës i përndjekur nga një qeveri represive. Por poeti e çarmatos këtë supozim nëpërmjet kthimit të së brendshmes. Atmosfera është e lodhur dhe melankolike. Është tunduese ta klasifikosh këtë krijim si një poezi e një dëshmitari okular i cili i kundërvihet sistemit shtypës, por poeti e mënjanon këtë presupozim duke u kthyer në vetvete - "Shpesh ngrihem natën/..." - pra duke përbrendësuar efektet që klima politike ka pasur për trupin dhe mendjen e tij: "I zgjas krahët si dy rrugë/...". Ai "i beson jetës, gjithçka që do," pa pasur mundësinë të ecë përpara, sepse "Është më e vështirë të ikësh/.…" Për folësin nuk ka shpëtim, por paradoksalisht, mërzia gërryese dhe parashikueshmëria mbytëse janë burimet e forcës dhe përshtatmërisë prej meduze. Çka e bën këtë koleksion të fuqishëm është refuzimi i përdorimit të një gjuhe të thjeshtë e të drejtpërdrejtë. Për shembull, poezia "Shqetësim" është një shembull i kundërt. Hyrja , "Kur shkruaj poezi/..../ të gjej veten" për të shtuar, "Po kërkoj/.../shpejt apo lehtë…" Mos ndoshta poeti ka mall për fjalën e thjeshtë, pa zbukurime, por nuk mundet ta gjejë, sepse ky lloj ligjërimi është karakteristikë e gjuhës së Partisë? Zëri i shumë prej poemave, faktikisht kumbon me një dëshirë për fjalën e lirë pa zbukurime. Ai gjithashtu e kupton që e bukura gjendet në shtresat e detajuara dhe alegoritë, e jo në shqiptimet e cekëta të propagandës. Vërtet, karakteret dhe simbolet e parapëlqyera të Zeqos janë Hëna, yjet dhe kuajt. Në poemën, "Për të arritur, “poezi shumë e bukur që gjendet në seksionin e tretë të librit, zëri thotë, "Kali i trupit tim/..../vetëm, krifa i lulëzon," një pasazh që tregon përsëri konfliktin midis progresit fizik dhe ngritjes personale. Sidoqoftë ndihet progresi në të dyja rastet; "Shaloje kalin -" thotë zëri, "E imagjinoj fundin,/"Mos vallë zëri po bëhet gati të ballafaqohet me fundin e jetës? Fundin e shtypjes?
Poeti, në mënyrë të guximshme sugjeron që njeriu mund të luftojë njëkohësisht kohën, armikun e përjetshëm, dhe diçka më abstrakte -për shembull, shtypjen e lirisë së fjalës -- dhe këtë e arrin duke u futur thellë në vetvete që mesazhi të hedhë rrënjë e të ushqehet në thellësitë e shpirti. Ky lloj vetekzaminimi e bën më të thjeshtë për të kuptuar pse poeti nuk beson në fantazma - por a nuk është Zeqo, ose zëri, që na paraqitet vetë si fantazmë? Për diktatorët paranojakë që drejtojnë kombin e tij - Shqipëria e vogël dhe e varfër ka një nga sistemet më të mëdha të bunkerëve në botë - Zeqo është fantazmë. Për ta, ekzistenca e tij bëhet e dukshme vetëm kur ai shkruan diçka që bie ndesh me idetë e tyre. Duke u futur në vetvete, Zeqo ruan atë çka është. Poezia "Mundohem të udhëtoj," në seksionin e fundit të librit, nxjerr në pah këtë çështje: “Bëj të udhëtoj te ty - nuk mundem\Jam njeriu i përrallës në Jug\Nga mesi e poshtë në gur\Vetëtimën e ëndrrës e kthej në lumë\Ndërtoj urë të re në kujtesë\Shkoj të varrosem, por s’vdes\Bëj të udhëtoj te ty - nuk mundem\Erën e prek si monument\Për emrin e harruar, që dhemb\Bëj të udhëtoj te ty - nuk mundem\Metagorat-opinga shekujt i kanë\Qenkam te ty edhe kur s’jam!\
Në një mënyrë, heroi lirik në këtë poezi është i gjallë; pavarësisht se mëton të mos jetë i pranishëm, poezia nxjerr në pah qenien e tij. Ndoshta objekti i poezisë është vetë heroi lirik. Tashmë që nuk mban më barrën e rëndë të jetesës në një shtet shtypës, ai lëkundet në ajër midis realitetit dhe ëndrrës.
Pikërisht, motivi i udhëtimit është thelbi i poezisë, qëllimi i autorit, dhe pjesës më të madhe të poezisë europiano-lindore. Në sens fizik apo metaforik, Zeqo eksploron mundësitë që i ofron gjuha, e cila ashtu si ne, largohet dhe rishfaqet më kompetente, për t'u dhënë zgjidhje pyetjeve themelore të kohës”.

Përktheu dhe përgatiti Gjergj Dollani

Shkrimi është botuar në revistën e specializuar letrare “WEST BRANCH” të Universitetit të Pensilvanisë

Moikom Zeqo, një testament poetik - interviste

Vëllimi i gjashtë mbyll korpusin "Miscellanea" (Përzgjedhje) me poezi të hershme deri në ditët e sotme

Moikom Zeqo, një testament poetik

Janë faqe të tëra me poezi. Që nga ato më të hershmet, botuar në shtypin letrar, deri në kohët e fundit. Një vëllim i gjashtë ka përmbyllur korpusin e emërtuar latinisht "Miscellanea" (Përzgjedhje). Moikom Zeqo shprehet se aty janë poezitë e tij më të mira, është mënyra e tij e të shkruarit. Ky korpus, një ndërmarrje testamentare, i adresohet në radhë të parë studiuesve, por edhe një lexuesi besnik të poezisë. "Gjithë poetët e vërtetë krijojnë mbretëritë e tyre. Një nga poetët e sotëm shqiptar që e ka krijuar këtë mbretëri është padyshim Moikom Zeqo", shkruan poeti amerikan Waynne Miller, i cili ka përkthyer anglisht poezitë e tij. Procesi krijues i Zeqos vazhdon. Dy libra në prozë, "Anima mundi" (Shpirti i botës) dhe "Shitësit e kaosit" do të vijnë për lexuesin.

Është botuar vëllimi i gjashtë, që përbën edhe përmbylljen e korpusit tuaj poetik. Pse vendosët për një botim të tillë?

Është vëllimi i fundit i një korpusi poetik që përbëhet prej gjashtë vëllimesh. Nis me poezitë e mia të para, botuar në shtypin letrar, "Drita", në vitin 1963 e vijojnë deri në vitin 2009. Është shumë e vështirë që të ndërtosh një korpus të tillë që botohen zakonisht nga institute dhe grupe specialistësh. Unë kam qenë i detyruar ta bëj vetëm. Në fillim e nisa duke menduar se nuk do t‘ia arrija plotësisht botimit të korpusit. Kam zgjedhur një titull nga latinishtja "Miscellanea", që do të thotë përzgjedhje. Është një korpus i jetës sime poetike. Vëllimi i gjashtë është përmbyllës, ku përveç poezive të kohëve të fundit kam përmbledhur edhe një pjesë nga arkivi i poezive të mia nga vitet ‘63 dhe ‘70 për ta plotësuar për studiuesin e letërsisë, veçanërisht të poezisë. Mendoj që ky është një korpus testamentar; këtu jam unë, poezia ime, mënyra ime e të shkruarit. Nuk janë përfshirë disa libra të mi poetikë si "Meduza", "Meduza e dashuruar mban syze dielli" dhe "Thyerja e syzeve të Meduzës", të cilët përbëjnë një vëllim më vete që kanë një lidhje të brendshme me figurën mitologjike të Meduzës. Është një fenomen inkurajues për mua, që të gjitha vëllimet e botuara janë shoqëruar nga një numër i madh shkrimesh të kritikëve. Që nga 2006-a kur e fillova këtë korpus e deri më sot janë shkruar mbi 30 studime nga studiues prej Shqipërisë, shqiptarëve të Maqedonisë dhe Kosovës. Poezitë kanë gjetur jehonë në revista të specializuara amerikane pas botimit të tyre atje.

Kujt i drejtohet ky korpus?

Ky korpus, i cili nuk mund të përsëdytet, i drejtohet lexuesit të poezisë, ndonëse ai është rrudhur shumë në kohën e sotme. Së dyti, i drejtohet më tepër historianit të poezisë, sepse kjo është poezi pak e ndërlikuar, poezi metaforike që ka ndonjëherë dhe një grishje për lexuesin, por edhe vështirësi. Poezia e kultivuar dhe artikuluar intelektualisht dhe e krahasuar me poezinë më të mirë botërore, kërkon një stad të një kulture dhe kritike të specializuar. Për fat të keq në Shqipëri nuk ka një kritikë letrare të specializuar, por shumë nga shkrimtarët kanë shkruar mendime shumë të vyera për poezinë time.

Çfarë përfaqëson për ju poezia si gjini letrare?

Është gati enigmatike se si lind tendenca për të shkruar poezi. Njerëzit në fëmijëri kanë një prirje, por vetëm një pjesë e vazhdojnë rrugën e krijimtarisë. Poezia është tejet serioze, është instrumenti më i lartë i intelektit njerëzor dhe krijimi i metaforës është padyshim një nga mënyrat më të fuqishme dhe më të ndërlikuara të gjuhës njerëzore. Po të mos jetë poezia, gjuha e popujve do të kishte një varfërim të frikshëm, me të drejtë kritikët e mëdhenj thonë se poezia mban stadin më të lartë të intelektualitetit dhe potencialit të brendshëm të një gjuhe.

Në vargjet tuaja ka shumë figura mitike. Është një zgjedhje për ta bërë të pakohë?

Spektri poetik i një krijuesi del jashtë një kohe të caktuar. Përgjithësisht poezia nuk respekton një kohë dhe një hapësirë të caktuar, bën universalizimin e një kohe deri diku mitike apo siç quhet ndryshe edhe poetike, e cila nuk është e barabartë me kohën kalendarike. Poezia që në fillim ka karakter botëror, karakter shqiptar ka gjuha me të cilën shkruhet. Për këtë arsye edhe emrat e mëdhenj të poezisë u përkasin të gjithë lexuesve dhe jo vendit nga vijnë.

Poezia veçanërisht përbën një problem në përkthim. Sa kanë dialoguar poezitë tuaja me lexuesin e huaj?

Botimi im në Amerikë është përkthyer nga poeti i njohur Waynnr Miller, të cilit i kam kushtuar dhe vëllimin e gjashtë, është pritur jashtëzakonisht mirë. Ka pasur fillimisht një përkthim fjalë për fjalë e më tej një përshtatje të poezisë. Kur përkthimi natyralizohet në gjuhë të huaj nga një poet, ky është një rast i mrekullueshëm sepse përkthimi i poezisë në një gjuhë tjetër është gjithmonë i mangët. Botimet në Amerikë janë shoqëruar gjithnjë me shkrime të kritikëve dhe kjo është një shenjë e dialogimit të saj.

Ol.li

nga "Shqip"

MOIKOM ZEQO: Poezi


MOIKOM ZEQO
Poezi


Rikrijimi

Harrimi sulet mbi ditet tona te bardha
te dashurise,
duke thyer kujtimet
ashtu si gotet kur pushtuan Durresin e lashte
thyen statujat e tempujt e tij me shpate

Keshtu shfaqet harrimi me fytyren e Atilas,
po dihet fare mire si perfundoi ai,
une mbledh copat e statujave te thyera,
prej tyre te gjalle si te te rikrijoj prap ty?

Ka nje mrekulli te vdekjes

Ka nje mrekulli te vdekjes te sakte si ligjet
kur trupat tone do te shperbehen ne elemente
te natyres,
ndoshta do te takohemi si ujera nentokesore,
si humus e kripera te rrenjet e nje bime,
qe ajo te lulezoje e te hapi petale
e te mahnite gjithcka me bukurine anonime.
Do te na lulezoje eshterat...
Ajme! Po shpirtrat valle?
Si krijesa ajri do te enden neper re,
perhere te dy ndare dhe asnjehere nje!

Nje kostum prej flake

Te mund te ktheja te gjithe akrepat e oreve
te botes mbrapsht
te sfidoja kohen e gjithcka,
te rikthehesha tek ai mengjes i paperseritshem
prap
te ai cast i emocioneve te medha.

Ti ishe e kthjellet, e mire, e thjeshte,
e jashtezakonshme,
kaq shume doja te te flisja ahere,
po u desh te jetoja paradokset
ai mengjes te behej nje muzg i tmerrshem.

Keshtu do te te kujoj gjersa te kem fuqi
(kete te drejte s'ma mohon askush!)
Se gershera e akrepave te oreve ma ka prere
kostumin
prej flake...gjersa te behem shkrumb!

***

U theren me thika te mprehta dy djem
Te dashuruar me te njejten vajze
Gjaku rrodhi mbi pergamentet e gjetheve
Te vjeshtes se vdekur ne strall

Thikat happen plage ne trupat e bukur
Kokeprere me tmerr vdiq nje djale
Tjetri I plagosur, fitimtar i lemeritshem
Beri dashuri me vajzen mbi bar

Putheshin me ankth, me nje epsh te papare
Pa menduar me per te vdekurin ne shi
Shpejtonin ta rilindnin ate te nje foshnje
Nga thika e verber te vdiste perseri.

Syri

Puthja e diellit me mbeti ne balle -
sy i cuditshem, i madh.

Per te pare dhe ate,
qe njeqind sy nuk e shohin!

Me syrin e poezise ne balle
edhe ne vdekje.... jam i gjalle!

Gogeni

Gogeni, kur u semur nga lepra e zeze
ende te gjalle e mbyllen ne shtepi:
dyert, dritaret ia gozhduan shpejt,
ne sarkofagun e lemerishem te tij.
Po brenda, brenda ishin pikturat,
ylberi i artit, magjia e bleruar,
te duart e Gogenit mbijetonte e bukura,
yllesite e zemres mrrekullisht te shqetesuara
Lepra e vdekja ia rrethuan fytyren
Gogeni s'pat frike nga disfata e castit,
muret e sarkofagut u cane lehtesisht
nga forca radioaktive e artit!


“GJEOMETRIA” POETIKE E MOIKOM ZEQOS



“GJEOMETRIA” POETIKE E MOIKOM ZEQOS

“Hic est via, veritas et vita”- Këtu është udha e vërteta dhe jeta

Nga Nuri PLAKU

Kolana përmbledhëse e poezisë së Moikom Zeqos “Michelanea”, përbën korpusin më të madh të shkruar deri më sot nga një autor i rëndësishëm shqiptar. Janë 2640 poezi të përfshira në gjashtë vëllime me 3323 faqe gjithësej. Një lum i vërtetë poetik që vërshon furishëm në dhera e qiej, duke vaditur qelizat e harlisura të jetës që nga kopshtet e varura të Semiramisit e deri në shkretëtirat e mugëta hënore. Një lum që ushqehet pambarimisht nga “reshjet” stinore të mendimit të thellë krijues, valëzuar nga kumtet e tij të praruar. Nëse gjigandët botëror, Nili dhe Eufrati janë quajtur lumenjtë e qumështit të kulturës së njerëzimit, lumi poetik i Zeqos është padyshim ajka e tyre. Ecuria e vazhdueshme e kësaj rrjedhe është metafora e shumfishtë e kohërave, konvertuar në “suretë” e “kuranit” shpirtëror të këtij autori. Ajo është një kontakt i vazhdueshëm i jetës me përjetësinë, i fatit me antifatin, i vdekjes me pavdekësinë. Është pikërisht kjo frymë “kuranike” që buron nga thellësitë e qenies së tij, duke e bërë kontaktin me krijimin e vet, një sistem të koduar mbushur me enigmat e një vendtakimi të rrallë, si shpella e Muhametit. Aty, zbresin kohërat dhe breznitë, kulturat dhe mitologjitë, krijimet dhe humbjet, paqet dhe luftrat. Të gjitha për të rikrijuar epokat e shkuara mbi strallin e mprehtë të kujtesave njerëzore. Aty lidhet unaza e Saturnit me trekëndshin e Bermudes për të krijuar një unitet kozmik bazuar në ekuilibrin marramendës të sintaksës poetike. Zeqo ka zbërthyer kodet kozmike të riciklimit për të ringjallur në magjinë e imazhit, realitete të dëshiruara filozofike të ngurtësuara në formën e një pengu që në kohët antike; “Filozofi poet, Empedokli i lashtë/ Kërkonte zanafillat – të rilindte prap/ Kashtën e Kumtrit ta kthente në ep.”
“Michelanea” e Zeqos, është pikërisht metamorfoza e Kashtës së Kumtrit kthyer në ep. E veçanta e saj është energjia e pakufishme që buron nga gurrat e thella të muzës dhe dijes së tij të pashtershme duke e bërë atë, të derdhet furishëm në kulturën shqiptare, me një funksion dinamik mjaft të gjallë dhe ekspresiv. Një dije që përfshin të gjitha planet e gjallimit të saj human dhe sendor, që nga simbolikat e larmishme të gjithësisë, mitologjisë, shkencës, historisë, të arkeologjisë e të heraldikës, të religjonit e të astronomisë e deri më sot në të gjitha rrafshet e ndryshme shkencore. Një synim i realizuar midis grimcës dhe masës, midis reales dhe sureales, një përzierje dialektikash dhe filozofish sa idealiste aq edhe pragmatiste, sa të brishta aq dhe rezistente. Është një enciklopedi poetike e botës të shkrirë në fenomenin “Zeqo”, i cili ka në thelb pushtimin estetik të kozmosit. Kozmosi është “syri i kaltër” i metaforave të tij të pafundme. Nëpërmjet këtij syri, buron ajo dritë e vrullshme që e kthen poezinë në një ciklon të vërtet planetar.
Nuk ka deri më sot në letërsinë shqipe një prodhim kaq të bollshëm e kaq të pasur me metafora sa Michelanea. Nuk ka një përzjerje kaq të dendur teorish dhe emrash, përfaqësues të dijes dhe mendimit botëror, që të konvergojnë në shtjellën e saj, të gjitha kulturat, të të gjitha kohërave dhe popujve. Eva, Adami, Gilgameshi, Bibla, shkrimet apokrife, Moisiu, perënditë, legjendat, Zoti, Zeusi, Noja, perandoritë, alfabetet, ligjet e Hamuradit, mitologjitë, filozofët, Sokrati, Aristoteli, Platoni….e deri te Borgesi. Janë qindra poet, shkrimtar, muzikantë, piktor e strategë luftrash, personazhe veprash letrare të shquara ndër të gjitha kohët dhe epokat historike. Statistikat janë befasuese: Rreth 3582 emra të shquar dhe 684 emërtime fenomenesh dhe toponime të shquara. Një arkitekturë poetike ku planet referenciale të ligjërimit përbëhen nga fluide kozmike me pikmente të kaltra qiellore. Nëpërmjet tyre, poezia e Zeqos kthehet në një reaksion alkimije që zhvillohet në thelbin e simbiozës së tokës dhe hapësirës, duke ndërtuar imazhe dhe interpretime moderne mbushur me dinamikë të përhershme dhe provokime fluide.
Gjithë graviteti poetik i kësaj poezie “rrjedh” në qëndër të një trekëndëshi konceptiv me brinjë: Metapsikozë - metamorfozë dhe metaforë. Brenda sipërfaqes së tij, ngrihet “oligarkia poetike” e gjashtë Michelaneave nëpërmjet së cilës Zeqo, ridimensionon pemën gjenealogjike të letërsisë shqipe, me rrënjët në tokë dhe degët e harlisura në të gjitha hapësirat kozmike.

KOZMOSI

Ky element trajtohet në nivele kulmore, duke dhënë imazhe të të gjalla dhe vizione botësh, gatuar me brum planetesh, ngjeshur me dritë yjore të pafundme. Me kozmosin Zeqo krijon një numër të konsiderueshëm metaforash të drejtpërdrejta dhe siguron ndërkohë bazën kryesore të shumë imazheve të cilët i japin kësaj poezie një shtrirje të gjerë, sa harizontale aq edhe vertikale. Është një larmi kontaktesh me botën duke ndjekur reliefet e saj të thyer, veshur me një tis hyjnor, ku poeti ndjen frymimin esencial të vet ekzistencës së saj, me një prekje të vetme që bëhet reale dhe ekuilibruese midis të dyve. “Kozmosi është shtëpia ime” thot ai. Pikërisht me këtë konstatim, autori kërkon rendin e gjërave në kozmos dhe kaosin në tokë. Tek e kundërta për të nxjerr të kundërtat. Përkitazi me thënien e Heraklitit se “Rruga për sipër është dhe rruga për poshtë.” Një thirrje polifonike që orbiton plot asosiacione fjalësh dhe idesh në shkrirjen universale të individit.
Universi është referenti emocional i tij, zjarri i bardhë akullor dhe akulli që digjet në ngjyrat e ylberëve. Ai i kushton atij 80 metafora. Nëpërmjet tyre, konflikti i tij poetik shfaqet “hënor” ku gjysma e dukshme kërkon të padukshmen. Zeqo del herë, herë, zjarrvënës i kozmosit duke përdorur si pishtar, edhe një varg të vetëm lirik, drita e të cilit të verbon me shkëlqimin e saj tronditës duke na dhënë ndjesinë e të qenit unitet. Me Zeqon, platforma alkimike funksionon në mënyrë të çuditshme. “Do të më shihni patjetër/Këmbëzbathur në qiell”, thot ai, gjithmonë ngarkuar mbi supe një përpjekje të lashtë sizifiane duke vuajtur dënimin profetik të dilemës paradoksale për të ndezur: “një kozmos brenda një pike vese”.
Me këtë konstatim ai krijon linja poetike tepër intime.
Zeqo rezulton të jet poeti shqiptar më kofidencial me Kozmosin. Ai ndërton relacione identifikuese midis tij dhe pjesëve të ndryshme trupore; “Ky Kozmos është veshi im.” “Ishulli i Robinsonit/Kërthiza ime e vetmisë universale.” “Skeleti im me mish kozmosi.”
Përgjithësisht imazhet realizohen duke ndjekur formën e një trekëndëshi. Kemi një lloi “gjeometrie” letrare nëpërmjet së cilës poeti, krijon konstrukte të larmishme. Pikërisht këtu kemi “vrimën e zezë të universit”, “trekëndëshin e Bermudes”, “hinkën kozmike”, që përthith vëmendjen e lexuesit dhe të përhumb në labirintet e saj enigmatike.
Një trekëndësh i tillë ndërtohet midis poetit, një objekti çfarëdo dhe kozmosit. “Më beso/Jam midhja/Që margaritarizon universet.” ”Me një cigare të ndezur/Elektrifikoj universet e humbur.”
Një tjetër trekënsësh ndërtohet me poetin, kozmosin dhe një gjendjeje abstrakte: “Do ti ndes njëmijë muzgje të planetit Mars mbi tokë si një revolucion estetik.” Ose “Sa shumë yllësi më flen në metaforë.” Ose “Kozmosi, simboli im potencial.”
Një nga këta trekëndësha ndërtohet gjithashtu edhe midis poetit, një objekti kozmik dhe kozmosit .
“Me gjuhën e kometës shijoj mollën e kafshuar të planetit.” Ose “Dhe veç ylli i Afërditës është pulla e pastër në korespodencën time mbijetuese me qiejtë.” Te ky trekëndësh kemi një konceptim të ri të unit poetik, një dalje nga vetja për të përftuar nëpërmjet një mjeti tjetër fizik një tjetër gjendje fizike. Këtu shfrytëzohet raporti i masës me lëndën, një llojë “florudhe letrare” që duhet konsideruar një prurje e re në letërsinë shqipe. Shumë “une” janë të drejtpërdrejtë, ndërsa “uni” poetik i Zeqos është i tërthortë, një “un” i “armatosur” me mjete universale për të krijuar efekte universale.
Një tjetër pasurim stilistik të kësaj poezie është edhe konceptimi inversiv i realitetit artistik. Është një element i patrajtuar nga studjuesit e tij por që përbën tashmë një dukuri specifike edhe për letërsinë shqipe. Është një llojë oksimoroni: ”Shtangem/ Vet Hamleti/ E vret Shekspirin për ta grabitur.” Operimi me këtë lloi mjeti krijon një amalgamë poetike të veçantë e cila gjithashtu është një shteg i ri stilistikor në metodën krijuese të këtij autori.
Mbi një bazë të tillë funksionale, shfaqet edhe një tjetër veçori e rëndësishme e kësaj poezie; ridimensionimi i elementit shqiptar. Shumë personazhe historik e artistik, heronj legjendash, poet e shenjtor, korelohen me sivëllezër të tyre nga kultura botërore dhe rishfaqen në këtë poezi me një tjetër kumt, me një tjetër lidhje dhe një tjetër përmasë të re artistike. Edhe kjo është një zonë e virgjër në poezinë shqipe, një zonë e cila trajtohet tani me një koloracion të plotë e mjaft të gjerë. Kemi të bëjmë kështu me një rilexim të tyre, ashtu si rilexohet një tekst, një “liçensim”, një lidhje organike me të përbotshmen. “Mona Liza rri gulaç në trurin e Migjenit.” “Unë jam vëllai i vdekur qyshkur i ringritur/ Dhe Mona Liza?Është Doruntina që jua rikthejë.”Ose: “Fantazma e Onufrit plak shëtit nëpër Luvër.” Ose: “Shpirti i Migjenit te trupi i sfilitur i Virgjilit.” Ose: “Vet Borgesi bën afreska në ballin vigan të Onufrit.”
Shpesh kjo lidhje përbën universalizimin e poezisë shqipe dhe është një kontakt i aktivizuar vrullshëm, duke e veshur atë me prurje dhe imazhe të pakonsumuar më parë. Këto janë “tiranta” që e lidhin atë me simotrat e saj botërore. Madje është një prirje e shfaqur së fundi në kulturën shqipe për ta bërë personazhet shqiptar “qytetar të botës”. Kjo qytetari është funksion integral i kulturave. Krahas Homerit, Shën Kostandinit, Virgjilit, Dantes, Uitmanit, Borgesit e shumë e shumë figurave të tjera të shquara botërore, të shfaqësh Doruntinën, Florimontin, Skënderbeun,Onufrin, Migjenin, etj, do të thotë të bësh një prezencë krahasimore të të mëdhenjëve me të mëdhenjtë dhe të krijosh një ujdhezë homerike ku odisea e poetit të trokasi në Itakat e tij të vonuara.
Larmia e korelimeve të tilla në këtë poezi na vjen mjaft e pasur dhe me shtresime të shumëfishta ç’ka e bën këtë aspekt poetik të Zeqos edhe më metaforik, edhe më funksional se të tjerët. Edhe këtu kemi disa kontakte në formë trekëndëshash:
Objekt-personazh-personazh
: ”Nga spektri i Kostandinit të Madh/Del shpata e Gjergj Kastriotit.”
“Sandalet e Onufrit/I kam flatra Hermesi te këmbët.”
Personazh-objekt-; “Koka e prerë e Ali pashë Tepelenës/Është semafor/Për trafikun e historisë.”
Kemi gjithashtu trekëndëshat: Personazh-Zot-personazh: “Sfinksi është brava e Zotit/Dhe verbimi mitik i Borgesit.”
Religjon-objekt-personazh: “Jam dashi i pashkës së ringjalljes/Blegërimën ma përktheni/Me zërin/E Rembosë.”
Të tilla raporte ndërtohen gjithandej me një frymëmarrje të plotë dhe të lidhura gjithashtu edhe me elemente të tjerë preferencial të autorit.

UDHA E UJRAVE

Kjo udhë është aq e largët për të, sa poeti e ndjek përmes një pengu me joshje të përhershme pulëbardhash. Ujrat bashkë me gjendjen e tyre dhe pasuritë që i rrethojnë ato, janë fillesa e jetës poetike të Zeqos. Ajo e bën aq të ndjeshëm atë sa dhe pikant në konceptimin modern të imazhit të tij poetik. “Ah, ky det, ky det/ Pishat e mëdha me njëqind zogj të kaltër/ Njëqind cicërima të pathëna.”
Ndryshe nga këndvështrimet e tjera metaforat e ujrave jan për të një shprehi dashurish të çuditshme, të thella e të rënda deri në dhimbje. Kjo ndoshta “Sepse vet deti/ Është rival në dashuri me mua” dhe kjo xhelozi, shkon deri në përjetësi sublime. “Në ditët e fundit, pa asnjë epitaf/Më lini ju lutem, te deti me shkumë.”
Ujrat japin për të momente meditimi kulmor që formojnë një koncetrat poetik me shumë domethënie, si metafora e botës së tij shpirtërore, si një përzjerje sublimiteti dhe progresi intelektual të shoqërisë. Në këtë udhë poezia e tij përtërihet e ridimensionohet në vetvete nëpërmjet një figuracioni shumë të pasur.
Dashuria për detin është tepër krijuese. Ajo është shteg i pafundëm fantazish, larg nostalgjive folklorike dhe shprehive të rëndomta metafizike. Deti për të është një lloi “filozofie e qenies”, një lloi arene jetike ku ndeshet rritja e tij me energjinë e çliruar, një lloi etalloni që e ballafaqon atë me instiktin dhe sedimentin. ”Shiu i mallit/ Njomi flokët e simboleve.” Apo “Gjak i amshëm i lulkuqeve/Në deje kuajsh të detit.”
Riciklimi dhe operimi me udhën e ujrave është për Zeqon shfaqje jete dhe uniteti dialektik. Uji si fillesë e jetës, si elementi embrional i saj dhe udhëtar i përbotshëm i qiejve, thur filozofinë e natyrës dhe të krijimit në një avlëmend përrallor kozmik. Metafora e ujit mishërohet veçanërisht tek deti. Mjaft nga poetët tanë, sidomos ata që kan pasur lidhje të drejtpërdrejta me detin që në fëmininë e tyre të hershme, e kanë konsumuar atë si një objekt të veçantë poetik tejet të dashur. Por Zeqo fokusohet kundrejt tij, në pozicione të shumfishta. Dashuria e tij për detin është shumë më e thellë. Nëpërmjet detit ai ndërton simetrinë e mendimit filozofik dhe të ndjenjës, duke mundur kështu të realizojë një sintezë përfaqësuese dhe tepër të ekuilibruar në letërsinë shqipe, ndërmjet kohës, hapësirës, tokësores dhe qiellores.
Në të gjashtë “Michelaneat”, përfshihen 282 metafora kushtuar deteve.
Nëpërmjet tyre, Zeqo ka arritur ti përmbledhi detet “në pëllëmbën” e vet. Duket sikur i ka dhënë kështu përgjigje njërës nga pyetjet biblike që bëhet në psalmin e Solomonit: “E kush i përmbledh dot në pëllëmbën e vet gjithë detet?”
Konceptimi poetik i tij korelohet mbi elementë të bollshëm hapsinor, duke dhënë kështu një relacion të veçantë midis tij dhe përbërësve të saj. Edhe deti futet shpesh në “trekëndësha krijues” të autorit. Në pjesën më të madhe të tyre vihet re ndërtimi metaforik në formën e trekëndëshit; poet-det-kozmos, brendashkruar me një numër të konsiderueshëm trekëndëshash të tjerë të vegjël shenjuar me emërtime konkrete hapsinore. Të tillë janë trekëndshat;
Poet-det-kozmos, “Deti na sheh, na imiton, deti dashurohet me lulen e qershisë së kozmosit.”
Poet-det-hënë, “Fle së bashku me detin, mbuluar me çarçaf hëne.”
Poet-det-planet, ”Si ta shkul e ta mbjell sërish në të tjera planete pemën blu të detit?”
Poet-det-muzg, “Në këtë përzjerje të detit me muzgun/Shoh veten time që lind.”
Poet-det-kaltërsi. “Për mua detet një alterego janë të drithëruar tërësisht nga kaltërsia.”
Poet-det-ajër. “Si ta ndërtoj një det mermeri në ajër.”
Një pjesë e konsiderueshme e metaforave përbëjnë shtresimin e drejtpërdrejt të kontaktit poet-det dhe det-kozmos. Ky është një raport i veçantë ku vetë struktura kuptimore e tij, nënkupton një kulm të tretë të padukshëm që identifikohet herë me poetin e herë me hapësirën. Formohet kështu i njëjti trekëndësh nga ku emetohet e njëjta “energji kozmike”. Ky element ndihet këtu, si një limfë bimore që e spërkat kumtin poetik të autorit me “klorofilë” kozmike. “Ç’farë detesh të mëdhenj/Që hartat s’i kanë/Më dalin nga poret e lëkurës.” Ose “Trupi im rritet e zgjatet/…me lëkurë deti dhe muzgu.” Ose “Pas hapave të mi/Lind një det i ri.” Apo ”Një det i uritur/Ulërin në lartësi.” Ose “Deti është plot mall e nostalgji kozmike.” Ose “Ngjyra e detit është bota/Ku ndryshon universi.”
Në raportin poetik me detin Zeqo krijon edhe një tjetër shtresim të ri; memorizimin shenjtëror të objektit. Në këtë aspekt ai veçohet dukshëm nga poetët e tjerë madje jep një imazh tepër të veçantë të këtij memorizimi:”Do t’i ngre shtatë dete-shandan të Zotit, Zotit/Të ndriçoj fytyrën e pafajshme në terr…”
apo “Dhe vjeshta më prin nëpër pllajat detare me gjurmët e Krishtit.”; apo: ”Detet, ah detet, kishat e herezive të mija.”; ose “Dhe lulkuqja ndizet si qiri/Në kishën e detit.”
Edhe këtu imazhi poetik ndërtohet në frymën e trinitetit, ç’ka konfirmon dukshëm tedencën hapsinore të metaforave të Zeqos dhe elegancën e tyre estetike.
Tashmë duket qartë se nëpërmjet detit ai krijon vertikalen poetike, lidhjen me kozmosin, me Zotin, me idetë dhe ngjyrat e pafundme të saj. sepse shpesh “Një det i uritur/Ulërin në lartësi.”
Poeti është i dëshiruar nëpërmjet metamorfozës, të “Ndërtojë një det mermeri në ajër”sepse “edhe në paskohë, dhe në pahapsirë, deti është, deti është.”
Koncepsioni metaforik i tij arrin deri në personifikimin e kohës ç’ka është një veçori individuale e stilit të tij krijues, i metodës së tij të operimit artistik. “Befas gjej shekullin e xv në ujrat e mëdha si një Ofeli të mbytur”

KALI

Edhe Zeqo si gjithë poetët e tjerë ka idhujt e vetë. Idhulli i Zeqos është një qenie e brishtë, fare e zakonshme, e njohur prej të gjithëve; kali. “Ekzistojnë vetëm tre gjëra të brishta në botë, thoshte Pikaso, pema, kali dhe gruaja”. Kali është qenia fisnike për të cilin poeti ngre një pikëpyetje madhore që të trand me nëntekstin e vet të hidhët; mos vallë është bër një keqkuptim midis njeriut dhe kalit? Mos ndoshta Zoti ja ka hequr fjalën atij dhe i ka lënë në vend të saj vetëm psherëtimën? Këtu zë fill enigma poetike e këtij krijuesi për idhullin e vet. Ky sistem përbëhet nga 133 metafora. Kali për Zeqon nuk është një krijesë e thjeshtë biologjike, veshur me simpatin dhe sedimentin e përkorë të autorit. Madje në gjithë krijimtarinë e tij te “Michelanea”, nuk gjen asnjë poezi me elementë të tillë pastoral. Edhe kur përmendet tepër rrallë lopa, qengji apo bariu, ata janë lopa e diellit, apo lopa numistike, qengji i pashkës apo bariu i grigjës së Zotit. E vetmja lidhje e plotë dhe mjaftë e plleshme në këtë fokus është evokimi dimensional i kësaj krijese si elementë letrar me ngarkesa të shumëfishta simbolike dhe estetike. Nëpërmjet figurës së kalit, ai orienton pikën e rëndesës së sendeve, laryshon kuptimet në shumëfishet e tyre progresive dhe u jep jetë shumë imazheve të dekoruar me këtë figurë.
Edhe me kalin Zeqo, ashtu si edhe me detin, lëviz lirshëm brenda një trekëndëshi të caktuar; poet-kal-kozmos, duke aktivizuar ndërkohë të treja gjendjet; metapsikozë, metamorfozë dhe metaforë. Metafora e kalit është aq aktive në këtë poezi, sa krijon kult adhurimi. Ajo “çukit” si zog i uritur në të gjitha kullotat e natyrës tokësore e qiellore, për të dhënë dimensionin horizontal e vertikal të tij. “E qeshura ime/Do të bëhet krifë madhështore/ E kalit planet.”
“Në tri jetët e mija/Veç jetës prej njeriu qeshë edhe kal edhe peshk.” Ose “Vjen një kalë-hyu Asklep/Të shëndoshë universin.” “Ky shkëmb/Një kalë/Që fle/Nga/Mesjeta.” Ose: “Ky shkëmb/Duke ëndërruar kalin/U bë vet kalë.”Ose: “Guri bëhet mëz i kaltër gazmor.” Ose: “Kufomën e një kali/Do ta ngre në qiell si yllësi”.
Një shtresim të veçantë zën këtu metaforat e kalërimit ç’ka lidhet gjithashtu me konceptin e lirisë universale të autorit. “Gëzofi” i lirisë për Zeqon është i thurur me ornamente yjesh dhe kometash, por që kanë krifë kuajsh. Lëvizja për këtë poet është privilegj kozmik me substancë kohore. Koncepti i saj i kalon përmasat e njohjes së deritanishme natyrore të njerëzimit. Ajo shfaqet si një risi transformimi molekular të lëndës nga sendet dhe objektet fizike në qeniet biologjike dhe anasjelltaz. Pra nuk është liri e një shoqërie të caktuar apo evoluim i brendshëm i saj, por liri e një ekzistence të caktuar. Dhe për realizimin e saj nuk mjafton as vetë Zoti. Mbi Zotin është vetëm poeti. “Do të kalëroj gurvarrin tim-pegas trashedental kujtese.”Ose, “Do e kalëroj këtë lulëkuqe të mbrij deri te vendlindja e humbur e Onufrit.”
Lidhjet e drejtpërdrejta të kalit me objektet kozmike janë fare të qarta; “Ky kal ka jele kometash.”
Është në risinë poetike të këtij autori veçorija e shenjtërimit të objekteve të tij idhullorë. Ashtu si “kisha” detare edhe kali bëhet kumt religjonal me efekte hyjnizuese. “Këta kuaj kan palcën e Zotit, Zotit, pranguar në eshtra.” Ose, “Zemra e Krishtit/Në gjoksin e kuajve.”

“KRYEQYTETI” I FEMINISE

Përpos të tjerash Zeqo spikat edhe si një krijues me shije të thukët perandori. Në “perandorinë” e tij poetike ai bëhet edhe pak Gilgamesh edhe pak “Pjetër i Madh”. Veprat madhështore të këtyre dy burrave të shquar të kulturës dhe historisë botërore, poeti ynë ju përgjigjet me të njëjtin paralel. Midis të dyve ai ndërtoi “San Petërburgun” e vendlindjes së vet, Currilat. Aty mblidhen tok të gjitha ndjesitë e kujtesës së tij individuale dhe shpërthejnë në stinën e tyre më të bukur, në atë të krijimtarisë. Currilat janë vendlindja, Kupa e Shën Gralit ku pihet vetëm një herë të vetme në jetën e çdo njeriu. Aty është shkruar”Kalendari i fëminisë” zëri i të cilit ruhet në fytin e trishtuar të pulëbardhës, që studion “algjebrën e rrufeve”, pikëzuar në “koralin që lëshon gonxhe të çuditshme.” Pikërisht aty, te shkëmbi “patriark” i Currilave ai thirri së pari Ofelinë duke i premtuar dashurinë e “dyzetmijë vëllezërve”. Tek një pishë e këtij “kryeqyteti” ai gjen”Tri meshat e enigmës së Sfinksit”, prej të cilave vjen “Bukuroshja e Durrësit” “të 100 nostalgjive” dhe “e puth në ball me buzët e mozaikut mitik”. Nëse theroritë bëhen në altare, Currilat janë pikërisht një altar ku blatimet i përkushtoheshin dashurisë. ”Në Tebë bëheshin blatime për miqësinë, në Rodos për diellin, në Eleusina për tokën-por në Currila për dashurinë-e dashur mos vdis”.
Natyrisht, të jesh i lidhur kaq shumë me vendlindjen tënde do të thot të zotërosh më shumë sesa një dhunti të zakonshme krijuesi. Kjo sepse dashuria e shprehur në metaforat e Currilave, të cilat arrijnë në 90 të tilla, shprehin një “ankth ekzistencial” të vazhdueshëm, i cili lidhet me hallkat e zinxhirit kohor, me rrjedhjen e saj të unifikuar në analet e kujtesës së tij krijuese. E shkuara për Zeqon është vlerë e pashtershme mbushur me rrezatime pozitive për të sotmen dhe të ardhmen. Përmes këtyre metaforave, ai bën interpretimin filozofik të kësaj dashurie, duke dhënë intensitetin e saj nëpërmjet hyjnizimit dhe premtimit të vdekjes për hir të saj. Ndryshe nga deti dhe kali, Zeqo operon këtu më tepër në rrafshin horizontal sesa vertikal. Ka më shumë intimitet, prekje të bardha, dhe mall të fosilizuar. Por edhe këtu vihet re se, vetë ideja e vdekjes dhe hyjnores, i japin asaj ngjyrime të qarta hapsinore. ”Durrës, o Durrës, vdekja ime e nderuar.” Apo, “Dijeni/Muzgjet e Currilave/Janë funerali im.” “Veç atje në Currila kam fuqi të shfuqizojë vetë vdekjen me një pupël të harruar pulëbardhe tremijëvjeçare.” “Durrësi është parzmorja e hyjnive.”
“Poeti është vendlindja”, thuhet shpesh. Zeqo mbart mbi vete një vendlindje të lashtë, mban njohjen kreative të një historie 2600 vjeçare. Ai është jehona e Durrahut mitik dhe me të drejtë, syri i tij, sheh atë që nuk e shohin të tjerët, me sy të zakonshëm. “Unë shoh atë që nuk shihni ju”, thoshte Hazreti Muhamet. Zeqo është Hazreti poetik i vendlindjes së tij.

DASHURIA

Dashuria si një nga temat më të rrahura ndër krijues të ndryshëm dhe në kohë të ndryshme, përbën edhe një ndër enigmat më të bukura të interpretimit të saj të veçantë në autor të veçantë. Në trajtimin e kësaj ndjenje, Zeqo i mëshon më shumë anës sublime të saj, duke dëshmuar për të një konceptim platonik. Ai ka vetinë të jet logjik dhe racional në këto gjykime. Por ngaherë te ky poet, kemi vetëm vlerësimin pozitiv të saj. Asnjëherë ai nuk përfshihet në jermin e efekteve tunduese të ndjenjës dhe as ta anatemojë atë. Zeqo, është ndër të rrallët poet që nuk ka dëshpërim prej dashurisë. Qendrimi i tij është mjaft i mençur. Ai ushqen një dashuri fisnike, e vesh atë me ngjyra të theksuara hyjnizimi dhe i dedikon asaj pjesën më të rëndësishme të qenies së vet; vetëdijen. Ai e lidh atë me vet ekzistencën e jetës dhe rigjetjen e “fillimit të botës”. Pra, dashuria nuk paraqitet thjesht si burim kënaqësie, lumturimi dhe kusht i përmbushjes së nevojave biologjike individuale dhe familjare, por një domosdoshmëri absolute.
Nëpërmjet sistemit të tij metaforik, Zeqo çertifikon një dashuri të dimensioneve të pamata. Ashtu si me figurën e detit dhe të kalit, edhe këtu operohet me të njëjtat objekte dhe koncepte kozmike, duke krijuar trekëndëshin e madh; poet-dashuri-kozmos me trekëndësha të tjerë të vegjël, brendashkruar të parit. “Mes meje dhe teje/E dashur, ngjishet/Tërë kozmosi.” “Unë me mollën e Parajsës do ta gdhend/Anijen argo të dashurive kozmike.” “Pa ty, gjysmë më ngjan vetja/Vjen ti e përtërihem si Hëna.”
Edhe me dashurinë ndodh i njëjti proces hyjnizimi si dhe me detin dhe kalin. Madje hyjnizimi i saj është më konkret e më i prekshëm nga që Zeqo e vendos atë në relacion të drejtpërdrejtë me vet hyjnitë. “Guxoj emrin tënd e dashur/ Ua vë tani tërë hyjnive.” Ose, “Kjo lule te flokët e tu e dashur është plagë hyjnore.” Ose, “Hyjnitë e bënë botën: Vetë hyjnitë i bëri dashuria.”
Shpesh dashuria për Zeqon i kalon kufijtë e zakonshëm të një lidhjeje të thjeshtë midis burrit dhe gruas. Ajo konceptohet si një synim ndaj kontakteve të përgjithshme të realitetit, si një gjurmë e ndritur jete e cila krijohet pas ç’do udhe e udhëtimi, si një mundësi e përhershme përsosmërie për njeriun. “Bota është bërë e përsosur nëpërmjet dashurisë”, thoshte Niçe. ”Unë lëviz për të parë e dashuruar gjithshka/Në njërën këmbë mbath këpucën e Diellit/Në tjetrën këmbë këpucën e Hënës.”, thot Zeqo. Ndaj dhe dashuria e tij ka dritën e përzier të dy planeteve, duke u bërë e pastër dhe e bukur si vetë drita e tyre.
Por për Zeqon shtrirja dimensionale e kësaj ndjenje pasqyrohet më tepër në funksionin konkret dhe efektiv, sesa në atë intelektual e filozofik. Ai bëhet mjaft i vëmendshëm për rolin që luan ajo, në vendosjen e ekuilibrit të individit jashtë providencës. ”Jam në skajin më të largët…vjen ti/Dhe rigjej sërisht fillimin e botës.”
Dashuria pra është vet ekuilibri i tij dhe i botës në tërësi. Dhe jo më kotë në këtë përmbledhje ai i ka kushtuar asaj 83 metafora. ”Se dashuria ime e ka emër horizontin/ Gjithmonë e shumëfishuar nga instikti i erërave.”

FILOZOFIA DHE E VËRTETA

Poezia e Moikom Zeqos është e tejmbushur me labirinte poetike të cilat e kthejnë atë në një poezi të ndjeshmërisë së hollë e të mendimit të thellë filozofik. Edhe këtu ka numrin më të madh të metaforave, sentencave dhe citimeve nga autorë të nryshëm të cilat arrijnë në 409 Elementët e pafundëm të kulturës së tij të gjithanshme kthehen në “flatra ëngjëlli”dhe e bëjnë poetin të flatrojë përmes ankthit të ëndërave, ideve dhe ngjyrimit qiellor të dijes. Një kumt tronditës gdhendet në unin e tij poetik. Dija e bën sa potent edhe aq të dhimbshëm. Poeti i erudicionit të madh ka edhe dhimbjen më të madhe. “Kush zotëron dituri, zotëron dhimbjen”, thuhet në bibël.
Në gjithë “Michelanenë” gjejmë mendime të shumta filozofike të cilat autori i shpreh nëpërmjet sentencave, qendrimeve, interpretimit të fenomeneve,burime të ndryshme filozofike materialiste dhe idealiste si dhe në pika takimi me autorë të ndryshëm që lidhen me qendrime gjithashtu filozofike. Rryma filozofike më e preferuar në poezinë e tij është idealizmi dhe veçanërisht teoria e metapsikozës, për të cilën ai i referohet sa Platonit aq edhe mbështetësit të saj Borgesit. Këtë lloi teorije të anatemuar gjatë viteve të diktarurës, Zeqo e shtron këmbëkryq në letërsinë shqipe. Madje është kjo filozofi që orienton pjesën më të madhe të krijimeve të tij duke e bërë atë sa të larme aq edhe të pasur në stilizime, trill dhe hapsira të mëdha krijuese. “Nëse në jetën e parë jam ky që jam, në jetën e dytë do të jem një salamandër /E shenjtë. Nuk jam në kohën që jam/Mbas 100 shekujsh do të jem sërish në kohën që jam dhe nuk jam”. Kalimi i shpirtrave nga njëri trup në tjetrin dhe lëvizja spirale e kohës e lidh atë aq shumë me Borgesin. Po a beson në të vërtet Zeqo në lëvizjen e shpirtrave?
Besimi i tij në këtë filozofi është edhe i vërtetë edhe hipotetik. Ideja platonike e metapsikozës i jep atij pasurinë e bollshme të fantazisë në lëvizjen e shpirtrave por vet thelbi ekzistencial i jetës së trajtuar e kthen atë në besim hipotetik.
“Kështu lëviz i çmendur, thot ai, Në përditshmëri/Zemra beson/Te metapsikoza/Truri jo”!
Zeqo ka gjithashtu edhe një dëshmi të pasur “silurimi” me mendimtar filozof dhe referenca filozofike të kthyera në sentence të përbotshme. Kjo dëshmonë për frymëmërrjen e gjerë dhe kompletuese të poezisë së tij. Pikëtakime me idetë e mëdha të njerëzve të mëdhenj, ai i merr në mënyrë krijuese duke bërë kalimin funksional të kulturave midis kohëve dhe brezave. Ashtu si kurrizojnë shtresimet mineralogjike mbi sipërfaqen e tokës, e pastaj zhyten në thellësitë e saj, ashtu shfaqet në piktakime të tilla edhe mendimi filozofik i këtij krijuesi.”Si ta mbledh pluhurin/ Që dikur qe vet Gjergj Kastrioti?” Ky është pikëtakimi me thënien e Uitmanit ”Ky grusht pluhur dikur ka qenë një burr.” Ose, “Hëna/ S’ka mllef, as xhelozi”. Ky varg i referohet Laufargut “Hëna nuk mban mllef.”
Ai beson në teorinë e ubikuitetit, ku një trup fizik mund të ndodhet njëkohësisht në pika të ndryshme të hapësirës, beson te Buda i cili pretendonte se para se të bëhej Budë, kishte qenë gaforre, deve, yll, gjarpër dhe shqiponjë. Beson sa te Pitagora si plagjator i metapsikozës dhe metamorfozës aq dhe tek koha ciklike dhe hapësira ciklike e trajtuar nga Borgesi.
Mjaft nga sentencat e shprehura prej tij, e shfaqin atë si një mendimtar dhe urtan të vërtetë në shumë fusha të jetës. Ja disa nga këto sentenca. Për dijen: “Etja për dijen/E bën manastirin një universitet”. Për lirinë: ”I lirë jam nga sendet, por jo nga lirija”. Për dritën: “Veç në terr është e kuptueshme të ndriçosh nga brenda”. Për vetminë: ”Vetmia është xhuxhe”. Për shoqërinë: “Shoqëria është fai i kushteve/Kushtet janë fai i shoqërisë”. Për jetën; “Gjithshka është udhëtim”. Për kujtesën: “Kujtesat e plagosura ulërijnë.”, etj, etj.
Një vend të rëndësishëm i jep ai në poezinë e vet, trajtimit të së vërtetës. E vërteta për Zeqon është thelbi i qenies dhe moralit. Ai dëshmon një përkushtim kultike ndaj flamurit të saj të praruar. “Qellimi më i lartë i jetës dhe mendimit, thoshte filozofi Kostandin Bruner, është epshi kreativ për të vërtetën”. Këtë forcë energjike për të vërtetën, ai e shpreh në paralel me figurat e shquara të njerëzimit, të cilët në vende dhe kohëra të ndryshme, kanë tërhequr vëmëndjen për sakrificën ndaj saj. E vërteta tek Michelanea, ngrihet si një kategori estetike e trajtuar me vëmëndje dhe kujdes të veçantë argumentues. Nuk ka epokë në jetën njerëzore, as moral e as fe që të mos ket në thelb mbrojtjen e kësaj kategorije. Madje përball këtij ringu shfaqen edhe sakrificat e përballjes. Zeqo prezantohet me poezinë e tij, si një hyjnizues i saj. Besimi i tij është i njëjtë me atë të Indira Gandit, udhëheqësit filozof të Indisë së fillim shekullit të kaluar.”Vetëm e vërteta e ka zemrën të artë, dua t’i prish, t’i zhduk kufijtë e të pamundurës dhe më rikujtohen fjalët e Gandit “duhen shumë lopata për të varrosur të vërtetën”.
“E vërteta,thot ai, nuk është streha, është udha”. Te ky përcaktim mbi të vërtetën kemi edhe një betim poetik, një kredo: “S’mund të ndërroj të vërtetën me diçka tjetër, madje edhe nëse ndërroj krejt gjakun tim në deje”. Sepse siç e pohon e dhe vet, “Padrejtësitë kanë rrënjë më të thella se drurët”.
Vështrimi modern dhe tepër depërtues në të vërtetat e jetës e bën Zeqon një poet filozof. Ky poet “rracëidhnake”, me shpirtin “flakë të fenerit të thyer Diogjeni”, kërkon të vras shpirtin e asgjësë sikur të jet edhe vetë perëndia dhe ulërin; “Heshtni, heshtni, heshtni/Kaq praën e kurr smë njohët”. Mosnjohja, kjo armë virusale me bujarinë e pragut të vdekjes së ngadalshme, përhap shijen e hidhur të djajve që sundojnë çastin e guximshëm të amëshimit. I mosnjohuri duhet të pohojë faljen humane të ortodoksisë me pohimin e formulës sipërane të religjonit: “Amen”! Ky skllav dhe mbret i stuhive, ky “beduin i çmendur në shkretëtirën e letrës”, ky “univers që se kapërcen vetveten”, të cilit “nuk i pushon së kënduari në kaçubat e metaforave gjinkalla e artë heraldike”, që nxjerr “kohën trupluani prej lëkurës” me trupin që mban eshtrat “grafika të Pikasos”. Ky “i mosnjohur”, guxon të vendosi “midis mollës së Adamit dhe asaj të Njutonit, një Hiroshimë”. “Pa emër jam, i fshehtë si shpirti i pemëve”, e ndërkohë e ndërkohë lufton të mbrojë mollën e artit nga krimbat e ferrit. Këtij të mosnjohuri vjen “dhija e Gandit dhe i kafshon ç’do çast gjethet rrebele të mendimit”, pikërisht ky, bëhet ndërkohë një mbrojtës i paepur i së vërtetës dhe ajo gjen tek ai, kalorësin e saj më të denjë.

POETI DHE POEZIA

Një pjesë të rëndësishme të korpusit poetik të “Michelaneas”, zë edhe mendimi i tij estetik për poezinë dhe poetin. Janë 52 metafora që ie pasurojnë këtë poezi. Ai shpreh një besim të thellë për rolin ideal dhe transformues të poetit dhe poezisë në shoqërinë njerëzore. Ky besim është baza e një përmendoreje kultike ngritur nëpërmjet vargjeve të tij më të bukur për artin më të bukur të fjalës. Gurët e kësaj përmendoreje vendosen në tokë: “Kur në një qytet jeton një poet/Dritaret e shtëpive skanë grilla”, ndërsa maja e saj shkon deri në lartësitë e pamata të qiejve, deri te Zoti: “Poeti, më i shpejtë se Zoti, Zoti, e gjen një botë/Para Adamit.”
Arti poetik për Zeqon ka një funksion tepër fisnik, por ai është edhe shumë i vështirë dhe kërkon sakrifica të mëdha për tu realizuar: “Te porta e artit është pragu i varrit/Kush se kupton le ti shmanget vetvetes/Askush smund të ketë atë që se ka”. Ai shfaqet ndërkohë edhe ndëshkues edhe i ashpër në këshillën e tij artistike;
“Unë jam Drakula që ju kafshoj të gjithëve/ T’ju bëj vampirë të poezisë në botë.”
Përkundër qendrimit vlerësues për poetët e vërtetë ai anatemon poetët e patalentuar: “O poetucë/Nimfën tuaj/Të frymëzimit/E keni pa seks.” Madje kemi edhe një qendrim korrekt ndaj vetes së vet, një autoçensurë: “Thithma nga trupi/Tërë gjakun e rrem të lavdisë”.
Vizioni i tij është se pa kulturë nuk mund të ket letërsi të kulturuar. Asnjë poet nuk mund të përfaqësojë një letërsi të caktuar nëse nuk djersin mbi kulturat e njeëzimit për përvetësimin e tyre. Aty përzihen kumtet dhe bestynitë, parimet dhe përgjegjësitë e brezave, të cilat vetë Zeqo jo vetëm që i përfaqëson në mënyrën më dinjitoze, por duket sikur është një pergamen i shkruar nga vetë dora e Zotit. Madje edhe vet ai e pranon njëfarsoj këtë përcaktim kur thotë se, “Pergamenët kan rrudhat e poetëve.”
E rëndësishme për Zeqon është padyshim energjia krijuese që buron nga thellësitë e vetëdijes humane.”Njeriu, përherë e më tepër duhet të jetë mishërimi i Mëndjes Universale”, thotë ai. Që këtej burojnë edhe shumë parime bazë të moralit të tij mbi të cilin dominon koncepti mbi të vërtetën, angazhimi dhe indinjata e tij e thellë dhe revoltuese mbi keqtrajtimin e saj.
Edhe në pasqyrimin e vlerave të tilla krijuese, Zeqo operon me po të njëjtën “gjeometri letrare”, trekëndëshat e hapësirës, të cilët, pamvarësisht pikënisjeve të ndryshme shpesh kan një kulm të përbashkët, kozmosin dhe pafundësinë e tij.
Në një nga këta trekëndësha e vë poetin midis lindjes dhe vdekjes. Këtu jepet raporti inversiv i tyre në funksion të pavdekësisë. “Për poetin, ah, poetin e vërtetë, një vdekje smund të jetë më shumë se një lindje.”
Ose: “Poetët, poetët/Që nga nëndheu/Janë ndriçuesit qiellorë.”
Në raportin; poet – poezi, ai e vlerëson poetin si të lindur, ç’ka e lidh atë me konceptin e origjinës së tyre hyjnore të përcaktuar nga Platoni. “Poezia zgjedh poetin/Dhe jo poeti/Poezinë.”
Sepse, “Poetit i dhëmb edhe zemra e djathtë që të tjerët se kanë.”
Por kolona vertebrale e kësaj “syreje” shfaqet qartazi në raportin, poet – Zot. “Poeti i plotëson me fantazi tërë harresat e Zotit, Zotit.”
Sepse, “Poeti është, det më i lashtë se hëna” dhe se, “Tek një rrokje poeti, kanë foletë dallandyshet.” Është i magjishëm kumti që jepet nëpërmjet këtyre metaforave, i magjishëm si vetë shpirti i poetit Zeqo për t’i hyjnizuar vetë poetët. Poeti për Zeqon është “vetmi publike”, “Filtra e tërë moshave”, “Barinjtë e kryengritjes së fjalëve”, sepse “gjaku i tij lëviz në degët e rrufesë”, sepse ai gjak “pllenon galaktikat”, sepse gjithmonë mungon diçka te bukuria, “Që e shtojnë veç poetët”dhe se, “Bota pret të krijohet nga projekti i poetëve”. Por, poetëve, thot ai, nuk u duhet besuar sepse ata, “Bëjnë sikur vdesin”.
Të tillë kumte thur ai edhe për poezinë, për këtë “Pagjumësi hyjnore” me të cilën, “sulmon asgjënë, të paartikulueshmen” dhe “riemëron tërë botën”.
Poeti dhe poezia për Zeqon, janë pjesë e pandarë e të njëjtit medalion krenarie që zbukuron gjoksin e njerëzimit që nga koha e krijimit të këtij arti.

MISTIKA

Një nga karakteristikat më të dalluashme të poezisë së Zeqos është “loja” me mistikën. Kësaj teme i përkasin 61 metafora. Gjithmonë ai hyn në këtë “lojë” me aftësinë e tejkalimit të kufijve të zakonshëm të saj dhe me dëshirën e krijimit të imazheve të tij, krejt të pazakonta. Mistika për të është ushqimi më i pasur poetik. Ai i shfrytëzon dukshëm elementet e saj, për të krijuar paralele, florudha fantazish, për pasurim fjalori dhe mbi të gjitha, për ironi.
Zoti është figura qendrore e tij dhe shumë e nderuar. Kjo duket në përdorimin e dyfishtë të këtij emri. Ndërsa paralel me Zotin ai vendos edhe Florimontin. Nga gjithë personazhet e tjerë, ky është i vetmi emër që shkruhet gjithashtu në mënyrë të dyfishtë. Të dyja këto figura ecin në poezinë e Zeqos në paralele të njëjta vlerësimi. Me Zotin ai krijon veshin e “tretë” të poetit, nëpërmjet të cilit “dëgjon” zërat që burojnë nga forcat okulte. Kurse me Florimontin, krijon të ardhmen e këtij personazhi, kohën e tretë. Sepse ai e ka zbuluar atë, e promovon dhe hedh themelet e ekzistencës së tij edhe në perspektivë. Pra, “veshi i tretë” dhe “koha e tretë” janë dy përvijime paralele që krijohen në “lojën” e tij mistike.
Florudhat e fantazisë me Zotin, Zeqo i realizon në mënyra të ndryshme dhe kuptime të ndryshme. Herë herë ai krijon me to raporte besimi të mohuar: “Sendet janë pagëzimi im”, apo “Jam si çifuti me emër të krishterë/ Që ritin e pagëzimit se njohu kurrë.”, apo “I pangrënë në darkën e fshehtë të Krishtit/ Zgjata dorën veç për krodhën e artit”. “Bibla të çensuruara të Zotit janë fushat.”
Herë herë krijon raporte barazimi midis Zotit dhe poetit: ”Zoti, Zoti se kupton se e vjedhin, mbase poeti është, e vetmja sozi e tij.”
Ndonjëherë i nënshtrohet fatit në mënyrë të dhimbshme: “Në testin e Zotit, Zotit/Jam pasazhi i dënuar/ Të censurohem patjetër.”
Kurse në raste të tjera florudhat e tij e tejkalojnë atë: “Cilët argjendar misteriozë i kan bërë/ Krahët e insekteve me shkronja ungjilli?”
Mjafton pak fjalor religjonal dhe ai të shpreh një mllef të thellë hyjnor, do të krijoj një okelio referenciale për botën e vet, ku krahas thellësisë kuptimore të saj, të gjemojë edhe estetika e formëzimit sintaksor. “S’më duhen klerikë për kishën e zemrës/ Të tërë altarët i kam nëpër eshtra.” Ose, “Jam Krishti kopshtar/ Që uit trëndafilat e plagëve.”
Ironinë Zeqo e përdor si mjet efikas për tejkalimin e Zotit. “Kjo shpatë e Zotit, Zotit, më ndan në dy Moikomë, njëri vdes, tjetri e përqesh përjetësinë.” Kemi një paralel të padukshëm me figurën e Gilgameshit, duke shfrytëzuar thelbin e tij mitik, me gjysmën e tij të vdekshme e gjysmën e pavdekshme. Ironia me Zotin është tepër konkrete dhe lidhet sa me vërtetësinë e ekzistencës së tij, aq edhe me indiferencën që tregon ai ndaj fateve të njerëzimit.
Në relacion vërtetësie me Zotin Zeqo, fut në “lojë” edhe Niçen duke krijuar me të një paralel mbështetës mendimi. ”Po e hap moluskun vigan të reve, por Zotin, Zotin s’e gjeta. Dhe Niçe më vështron në largësi, dyshimtar i pamëshirshëm.”
Kulmin e ironisë, ai e shpreh për shkak të indiferencës së treguar nga Zoti në kontaktin me të gjallët e tokës. Është një kontakt tallës, sarkastik, që shpreh lodhje dhe dëshpërim: ”Nga oxhaku i dërgoj/ Një patericë tymi/ Vetë Zotit, Zotit invalid.”
“Zoti, Zoti shkon te okulisti për të shëruar sytë e tij të verbër.”
Ose, “Kaq shumë, kaq shumë të vdekur, ndaj Zoti, Zoti s’mund të vdesë dot.”
Në poezinë e Zeqos bëhet edhe zëvendësimi poetik i kohëve. E djeshmja bëhet sot dhe e sotmja bëhet e nesërme. Një përzierje e çudisë së të shkuarës me misteret e së ardhmes, karfosur me formulat alkimike të artit. Përmes këtij fokusi poetik, ai na ofron shijen e mrekullueshme të enigmës njerëzore. Ai thërret kohën me zërin homerik të zotave.Vepra pasqyron një konflikt të brendshëm kamufluar në të mirë dhe në të keqe sipas parimit më të lashtë dhe më modern të krijimit. Edhe aty ka Trojë, edhe aty ka një Odise, edhe aty ka një Itakë. Lindja dhe pavdekësia, jeta dhe vdekja, gjithshka e mbetur në konture epokash dhe shoqërish njerëzore. Nëpërmjet kësaj poezie, Zeqo ka ridimensionuar pemën gjenealogjike të letërsisë shqipe. Për herë të parë kuifiri i vëzhguesit kapërcen ç’do kufi mendimi dhe gjeografie duke e bërë veprën e tij një enciklopedi të vërtetë poetike ku vetë poezia, “nënshtron” përmes forcës së saj gjithë shkencat e tjera dhe i vë ato në shërbim të vetvetes. Vet galaktika “shkëputet” nga astronomija dhe bëhet pjesë lëvizëse e poezisë së Moikom Zeqos. Kjo poezi është një këmbanë e fuqishme e një realiteti të përbotshëm, tingujt e së cilës i shërbejnë afirmimit të përhershëm të kulturës shqiptare në atë europiane, duke dëshmuar kopetencën dhe vitalitetin e fuqishëm të autorit të saj. Në këtë kuptim, Zeqo shfaqet në letërsinë tonë, një Borges shqiptar.
Me këtë krijimtari të Zeqos ka ndodhur, ashtu siç thoshte Artur Symons, se; “Në poezi, bota e dukshme ka pushuar së qeni një realitet dhe e padukshmja ka pushuar së qëni një ëndërr”.
Ndaj dhe kjo poezi është “lënda që flet vet” siç thoshin latinët. Ajo është edhe udha, edhe jeta, edhe e vërteta e kësaj “lënde”.